Deklaratë e kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj

Qytetarë të Kosovës,
Lufta e fundit në Kosovë la së paku 12 000 të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të fyer e të përdhunuar. Më shumë se 120 000 shtëpi dhe prona të djegura dhe më se një milion qytetarë të larguar `me forcë nga shtëpitë e tyre në një kampanjë brutale të spastrimit etnik.
Lufta jonë për liri ka kërkuar tepër sakrifica. Edhe sot e kësaj dite me mijëra familje përballen me dhimbjen dhe ankthin për më të dashutrit e tyre fati i të cilëve nuk dihet. Dhe ne ende nuk e kemi përfunduar punën.
Në anën tjetër, ne e kemi kaluar një rrugë të gjatë që nga viti 1999 dhe tani jemi afër arritjes së pavarësisë sonë. Kjo do të jetë arritja më e madhe për Kosovën dhe në të njejtën kohë edhe fillimi i rrugëtimit drejt Unionit Europian dhe NATO-s.
Në tre muaj qysh se qeveria të cilën unë e udhëhoa e dha betimin, ne kemi bërë përparime të cilat pakkush i ka pritur, sidomos në drejtim të përmbushjes së standardeve të cilat i dizajnoj bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të ecet përpara drejt statusit final të kosovës. Ky status për ne ishte dhe mbetet vetëm pavarësia e plotë dhe sovraniteti i vendit. Ne kemi treguar fuqishëm se do të punojmë gjithmonë me përkushtim drejt krijimit të një shteti demokratik, tolerant të prosperuar dhe të rrespektuar si nga vetë qytetarët tanë ashtu edhe nga e gjithë bota mbarë. Gjatë kësaj kohe bashkësia ndërkombëtare na ka kuptuar drejt dhe ka bashkëpunuar me ne në mënyrën më konstruktive. Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Zoti Jessen-Petersen ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë imi dhe një mik i madh i Kosovës.
Qytetarë të Kosovës, asgjë nuk guxon ta ndalë rrugëtimin tonë tani. Secili prej nesh, cilidoqoftë duhet të jetë i gatshëm që të bëjë sakrificën e duhur në mënyrë që më në fund pas shumë shekujsh vuajtjesh e sakrificash populli dhe vendi ynë ta arrijë mëvehtësinë e merituar.
Sot unë jam thirrur të bëj edhe një sakrificë gjë që kurrë nuk kam besuar se do të ndodhë. Tani jam informuar se Tribunali i Hagës e ka lëshuar një aktpadi kundër meje.
Fillimisht më duhet të them para jush se jam i pafajshëm për çfarëdo krimi që më ngarkohet. Këtë e them sepse unë para së gjithash jam përgjegjës para popullit tim. Të gjitha veprimet e mia në luftë kanë qenë në pajtim me moralin e luftës, me rregullat ndërkombëtare dhe me kodin e burrërisë. Më parë thash se kam punuar gjatë gjithë kohës për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të denjë për të qenë pjesë e botës së përparuar. Kjo në vetvehte do të thotë edhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare sado e padrejtë të jetë në këtë moment. Ndjehem i fyer me këtë proces, ndjehem i prekur thellë, ndjej se po më largojnë nga puna në kohën kur isha duke e dhënë maksimumin për vendin tim por më duhet ta pranoj për hir të vendit dhe për hir të të gjithë neve.
Unë jam një njeri i Kosovës dhe me dëshirë sakrifikohem për vendin tim.
Prandaj unë e pranoj këtë barrë. Në të njejtën kohë kërkoj edhe nga ju që ta pranoni këtë fakt. Kërkoj nga ju të gjithë që të pranoni diçka çë është gati e pamundshme për t’u pranuar por bëjeni këtë për t’i bërë nder vendit dhe kombit. Kërkoj nga ju që të mendoni për interesin madhor të vendit.
Bashkësia ndërkombëtare e ka bërë një gabim të madh kur e ka krijuar një tribunal i cili i trajton luftëtarët e lirisë njësoj me agresorët që shkatërruan popuj të tërë dhe e kthyen rajonin në gërmadha. Dëshiroj të besoj se ka qenë një gabim pa dashje. Dëshiroj të besoj se ata nuk kanë dashur që kjo të ndodhë. E di që shumica prej tyre do të jenë të shokuar poaq sa jam unë dhe poaq sa jeni ju. Kjo që është pregatitur buron nga gënjeshtrat e pregatitura në Beograd dhe nga pazarllëqet që disa i kanë bërë me qeverinë e serbisë për t’i ekstraduar kriminelët serbë. Ky është një gabim i bërë nga disa njerëz që nuk e dinë fare se çka ka ndodhur në Kosovë dhe që nuk duan t’ia dinë se çfarë do të ndodhë këtu në të ardhmen.
Sidoqoftë, unë e di se nuk jam përgjegjës për ato që akuzohem dhe poashtu e di se edhe gjykata do ta vërtetojë këtë.
Në ditët që do të vijnë unë do të konsultohem me kolegët e mi dhe me bashkësinë ndërkombëtare për rolin tim në të ardhmen. Çfarëdo që kam bërë në jetën time ka qenë në shërbim të Kosovës. Këtë jam duke e bërë edhe sot duke pranuar diçka që nga aspekti i drejtësisë është e papranueshme.
Tani dua t’iu falënderoj të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme që ma dhatë në kohët më të vështira. Dua ta falënderoj Aleancën për Ardhmërinë e KosovësDua t’i falënderoj kolegët të Koalicionit për punën e tyre, dua ta falënderoj Presidentin Rugova dhe Kryetarin e Kuvendit Daci për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Falënderime të sinqerta poashtu iu dergoj zotit Jessen-Petersen dhe Gjeneralit de Kermabon për miqësinë e sinqertë që treguan ndaj meje. Unë sot jap dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës. Nga kolegët e mi të koalicionit qeverisës kam kërkuar që ta vazhdojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ta forcojnë koalicionin qeverisës. Vetëm në këtë mënyrë Kosova do të arrijë t’i përmbushë aspiratat e veta në afat sa më të shkurtër.
Kjo është edhe një ndërprerje në rrugën tonë drejt lirisë, demokracisë dhe sovranitetit, por iu premtoj se asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë rrugën tone drejt pavarësisë

Mirëupafshim dhe faleminderit!